Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi në një intervistë televizive se hetimi i ngjarjeve të 21 janarit përbën provën më të rëndësishme për drejtësinë shqiptare, ndërsa deklaroi se ka besim që SPAK do të veprojë për zbardhjen e plotë të çështjes.

 

Duke folur në ABC News, Taulant Balla theksoi se vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut duhet monitoruar dhe zbatuar, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të ndiqet procesi.

 

“Për mua testi më i madh i drejtësisë së re shqiptare është dosja e 21 janarit. Nëse SPAK-u nuk del dot nga kjo dosje në kuptimin e zbardhjes dhe nëse përdoret elementi i parashkrimit si shpëtim, atëherë kemi një problem serioz,” deklaroi ai.

 

Balla solli në vëmendje se ish-kryeministri i kohës, Sali Berisha është personi që sipas tij ka dhënë urdhrin për vrasjen e katër qytetarëve gjatë protestës, duke kujtuar deklarata publike të bëra ndër vite.

 

“Personi që ka dhënë urdhrin ka dalë në studio dhe ka thënë: ‘ti në atë dritare, unë në atë dritare, mes ballit me snajper’,” u shpreh Balla, ndërsa shtoi se mbetet optimist për veprimet e drejtësisë.

 

I pyetur për Reformën në Drejtësi, kreu i grupit socialist pranoi se në hartimin e ligjeve mund të ketë pasur gabime, por theksoi se mbështetja e Partisë Socialiste për reformën dhe SPAK-un është e pakushtëzuar.

 

“ Por edhe sikur të ktheheshim 100 herë pas, 100 herë do ta votonim Reformën në Drejtësi,” tha ai.

Sipas Ballës, pavarësisht problemeve dhe stokut të madh të çështjeve në gjykata, përparimi i bërë nga reforma është i dukshëm dhe institucionet duhet të vijojnë punën për forcimin e shtetit të së drejtës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu