
Policia e Tiranës ka arrestuar 18 persona, mes tyre edhe katër të mitur, pas incidenteve të ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më 10 shkurt 2026 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kryen arrestimet në flagrancë për një sërë veprash penale, mes tyre:
“Goditja për shkak të detyrës”
“Plagosja e rëndë me dashje”
“Prishja e rendit dhe qetësisë publike”
“Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”
“Shkatërrimi i pronës me zjarr”
“Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”
Ndërkohë, një shtetas është proceduar në gjendje të lirë për prishje të rendit publik dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.
Procedime edhe ndaj zyrtarëve dhe anëtarëve politikë
Policia bëri të ditur se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, i dyshuar për “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” si dhe “Shtytje të të miturit në krim”.
Po ashtu, u proceduan edhe katër anëtarë të kësaj force politike për “Kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shtytje të të miturit në krim”.
Një tjetër shtetas, 41 vjeç, është shpallur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tij.
Molotov dhe sende të forta ndaj policisë
Sipas autoriteteve, protestuesit u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas u zhvendosën drejt Kuvendit. Gjatë tubimit, disa prej tyre hodhën lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinave shtetërore.
Si pasojë e dhunës, 16 punonjës policie u plagosën, morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse (benzinë), të gjetura pranë godinës së Kuvendit.
Strukturat hetimore vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



