Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi për protestën e opozitës ku u hodhën koktej molotovë drejt godinës së qeverisë, duke theksuar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk ndërtohet përmes dhunës dhe spektaklit politik.

 

Në një mesazh në rrjete sociale, ministri Gogu kritikoi opozitën për retorikën mbi “kilometrin e fundit”, duke e akuzuar se po largohet nga fryma e protestës qytetare dhe paqësore.

 

“Opozita bërtet për “kilometrin e fundit”. Dhe pastaj e shndërron protestën në skenë dhune: molotovë, fishekzjarre, tym si të ishte kjo “rruga” përpara. Tërhiqen zvarrë nga ustallarët e dhunës, dhe largohen gjithmonë e më shumë nga protesta qytetare dhe paqësore.” u shpreh ai.

 

Sipas ministrit, integrimi europian kërkon përkushtim të përditshëm nga qytetarët dhe institucionet, jo përplasje.

 

“Ndërsa “kilometri i fundit” i Shqipërisë drejt BE-së nuk bëhet me megafon, molotovë e spektakël.Përshkohet nga fermeri që respekton normat, nga punëtori që punon ditë e natë, nga mësuesi që formon qytetarë, nga infermieri dhe mjeku që mbajnë sistemin gjallë, nga nëpunësi që zbaton ligjin. Ata le të shpallin “fitoren” e radhës për kamerat. Shqipëria le të ecë përpara me mund, me djersë dhe me rezultate—deri te mbyllja e kapitujve.” deklaroi Gogu.

 

Ai shtoi se ndërsa opozita mund të shpallë “fitore”, vendi duhet të vijojë përpara përmes punës dhe përpjekjeve konkrete.

 

“‘Kilometri i fundit’ nuk është spektakël. Është punë. Dhe destinacioni quhet Europë,” përfundoi ministri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu