Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim zyrtar nga Papa Leoni XIV gjatë vizitës së tij në Vatikan. Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik dhe u pasua nga bisedime në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, ku morën pjesë edhe kardinali Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher.

Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet rajonale, me theks te situata në Ballkanin Perëndimor, si dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, gjatë bisedimeve u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Vatikanit dhe Shqipërisë, ndërsa u trajtuan edhe çështje me interes të përbashkët që lidhen me bashkëpunimin mes komunitetit kishtar dhe atij civil.

Kryeministri Rama udhëtoi drejt Vatikanit i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tyre, Zaho. Më herët, ai vizitoi Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur si “Regina di Albania”, ku mbajti një lutje të posaçme për popullin shqiptar, familjet dhe brezin e ri.

Vizita konsiderohet pjesë e angazhimeve diplomatike të Shqipërisë në funksion të forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mbështetjes për rrugën europiane të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu