
Studentët shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar respektimin e barazisë gjuhësore dhe kushtetuese në sistemin e drejtësisë, duke insistuar që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe. Reagimi vjen pasi Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Igor Filkov, refuzoi zyrtarisht peticionin e tyre dhe vendosi që testi të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, një vendim që sipas tyre krijon pengesa për përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve në sistemin gjyqësor.
Bashkimi Demokratik për Integrim deklaroi se më herët ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që lejonte dhënien e provimit edhe në shqip, por shumica aktuale qeveritare e hoqi nga procedura pa dhënë shpjegime. Sipas opozitës, vendimi ka pasoja politike dhe institucionale, pasi rrezikon ta kthejë gjuhën në filtër për ushtrimin e profesionit të juristit dhe të kufizojë avancimin e profesionistëve shqiptarë.
Ndërkohë, opozita ka ngritur pikëpyetje nëse ky është një vendim personal i ministrit apo qëndrim zyrtar i qeverisë, si dhe nëse është marrë me konsensus, përfshirë edhe ministrat shqiptarë. Deri tani nuk ka pasur reagim nga kryeministri Hristijan Mickoski apo nga partitë shqiptare në bashkëqeverisje.






