
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, kanë rënë dakord të dëshmojnë në hetimin kongresional lidhur me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Lajmi u konfirmua nga zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, i cili bëri të ditur se “ish-presidenti dhe ish-sekretarja e Shtetit do të jenë të pranishëm”. Vendimi vjen në një moment kur Dhoma e Përfaqësuesve, e drejtuar nga republikanët, po përgatitej të votonte për mosrespektim të thirrjeve ligjore.
Komisioni i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve e kishte miratuar më herët masën me mbështetjen edhe të disa demokratëve, duke theksuar se “askush nuk është mbi ligjin”.
Avokatët e çiftit Clinton i kishin cilësuar më parë thirrjet si “të pazbatueshme”, duke argumentuar se kishin dhënë tashmë informacionin e kufizuar që dispononin për Epstein. Nga ana tjetër, vetë Clintonët i kanë konsideruar procedurat si një përpjekje politike për të turpëruar rivalët.
Zëdhënësi i Clintonëve, Angel Ureña, deklaroi se ata “negociuan me mirëbesim” dhe presin të vendosin një precedent që duhet të vlejë për të gjithë.
Emri i Bill Clinton shfaqet në materialet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, megjithatë ish-presidenti demokrat ka mohuar çdo shkelje dhe ka theksuar se nuk kishte dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein. Ai nuk është akuzuar për keqbërje nga viktimat e financierit.
Fotografi të publikuara së fundmi e tregojnë Clinton në praninë e Epstein në vite të mëparshme, por zëdhënësi i tij ka sqaruar se ato janë dekada të vjetra dhe se ish-presidenti kishte ndërprerë kontaktet me të përpara se krimet të bëheshin publike.
Kjo pritet të jetë hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një komisioni të Kongresit që prej vitit 1983, kur dëshmoi Gerald Ford.



