
Alessandro Medici, i njohur në rrjetet sociale si “Alessandro Il Dogsitter”, ka lënë pas një karrierë si drejtor komercial në një kompani shumëkombëshe për të ndjekur pasionin e tij për qentë. Sot ai drejton kopshtin më të madh për qen në Itali, me bazë në Torino, ku kujdeset çdo ditë për rreth 40 kafshë.
“Udhëtoja nëpër botë, takim pas takimi… isha vërtet shumë i palumtur,” rrëfen ai, duke shtuar se vendimi për të ndryshuar jetën erdhi pas mbështetjes së bashkëshortes, e cila e inkurajoi të ndiqte pasionin.
Me kursimet nga puna, Medici bleu “Bau Bus”, një furgon me të cilin çdo mëngjes merr qentë nga shtëpitë e tyre dhe i çon në qendër. Sipas tij, shërbimi është menduar kryesisht për mirëqenien e kafshëve dhe jo për të zëvendësuar pronarët.
Ideja për një kopsht qensh kishte lindur që në rini, kur ai punonte si dog sitter, por për vite me radhë nuk u mor seriozisht. Sot, profili i tij në Instagram numëron rreth 100 mijë ndjekës dhe ai shprehet se nuk do ta ndryshonte kurrë vendimin: “Nuk do të kisha bërë zgjedhje më të mirë dhe nuk mund të isha më i lumtur.”
Qendra ndodhet në Carignano dhe shtrihet në një hapësirë prej 4 mijë metrash katrorë. Medici thekson se suksesi vjen nga profesionalizmi i ekipit, rregullat e qarta për regjistrimin e qenve dhe një program që synon socializimin dhe mirëqenien e tyre.
Në planet për të ardhmen, ai synon të zgjerojë projektin, të punësojë staf të ri dhe të krijojë një qendër multifunksionale me shërbime të plota për kafshët. “Qentë më kanë mësuar durimin dhe respektin… në jetë mund dhe duhet të përmirësohemi,” përfundon ai.



