Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së gjyqtarëve për rritje pagash, duke vënë në pikëpyetje arsyetimin e tyre dhe ndikimin që kjo nismë mund të ketë mbi buxhetin e shtetit.

Në një komunikim publik, kreu i qeverisë u shpreh se “ndihesh në vështirësi të madhe, duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë dhe japin drejtësi,” ndërsa logjika e paraqitur sipas tij “lë tejet për të dëshiruar.”

Rama paralajmëroi se kërkesa synon të marrë një shumë të konsiderueshme nga financat publike, duke theksuar se bëhet fjalë për “37 milionë euro… t’i merrnim shqiptarëve nga taksat.”

Sipas tij, situata është problematike sepse “gjykatësit duan të imponohen mbi Parlamentin, mbi qeverinë, mbi dy pushtetet e tjera dhe duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre.”

Kryeministri nënvizoi gjithashtu se pagat aktuale janë tashmë të larta, duke deklaruar se ato “janë të njëjta me pagat e gjykatësve në Greqi… dhe ndërkohë janë dyfish më të larta… sesa pagat e gjykatësve në Maqedoni dhe në Malin e Zi.”

Ai vlerësoi faktin që Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk i është bashkuar kërkesës, duke thënë se “SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde dhe kjo i bën respekt natyrisht.”

Në fund, Rama shprehu pritshmërinë që Gjykata Kushtetuese të mos e miratojë këtë kërkesë: “Unë shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese të mos ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu