
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmetit, shtetas shqiptar i dënuar me 22 vite burg në Shtetet e Bashkuara për përfshirje në veprimtari të lidhura me terrorizmin.
Sipas të dhënave hetimore, Alimehmeti ishte nën vëzhgim të autoriteteve që nga viti 2014, kur iu refuzua hyrja në Britaninë e Madhe në dy raste, pasi dyshohej se synonte të udhëtonte drejt Sirisë. Ai ka pranuar se kishte ofruar mbështetje për Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë (ISIS).
Gjatë kontrolleve në ambientet e tij në SHBA u gjetën flamuj të ISIS, materiale propagandistike, video të grupit, si dhe armë të ftohta si thika luftimi, maska dhe pajisje të tjera që sipas autoriteteve mund të përdoreshin në sulme të mundshme.
Aktiviteti dhe arrestimi në SHBA
I lindur në Shqipëri, Alimehmeti jetonte në një zonë të varfër të New Yorkut, ku punonte si ndihmës hidraulik dhe më pas kërkonte punë në sektorin funeral. Sipas hetimeve amerikane, ai kishte shfaqur mbështetje për ISIS që prej vitit 2014.
Në maj 2016 ai u arrestua nga njësitë antiterror në Bronx dhe u akuzua për ofrim ndihme materiale ndaj organizatës terroriste. Hetimet zbuluan se ai kishte tentuar edhe të udhëtonte drejt Lindjes së Mesme për t’iu bashkuar ISIS, por ishte ndaluar nga autoritetet britanike.
Ai përdorte edhe identitete alternative, përfshirë emrin Abdul Qawii, dhe kishte tentuar të siguronte dokumente të reja udhëtimi me të dhëna të falsifikuara.
Aktiviteti edhe pas arrestimit
Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, edhe pas arrestimit ai dyshohet se ka tentuar të përhapë propagandë të ISIS mes të burgosurve, në bashkëpunim me persona të tjerë të dënuar për terrorizëm.
Gjykatësi federal që dha vendimin e dënimit e cilësoi atë si “bombë me sahat”, duke argumentuar rrezikshmërinë e lartë që paraqiste.






