
Në ditën e pestë të protestës, tregtarët e Tregut të Madh të Vlorës janë mbledhur sërish kundër zhvendosjes nga vendi ku ushtrojnë aktualisht aktivitetin e tyre. Ata shprehen se nuk janë kundër zhvillimit të qytetit, por sipas tyre zhvendosja drejt zonës së Jalisë së Nartës do të sillte mbylljen e bizneseve, pasi zona ndodhet rreth 3 kilometra larg dhe nuk ofron kushtet e nevojshme për tregti.
Paraditen e sotme, protesta u zhvendos përpara Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, ku pritej të zhvillohej një event ndërkombëtar. Në aktivitet pritej të merrte pjesë edhe kryeministri, por në vend të tij mbërriti ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali.
Takimi me protestuesit
Gjatë kalimit të ministres, tregtarët protestuan duke kërkuar dëgjimin e shqetësimeve të tyre. Spiropali ndaloi dhe komunikoi drejtpërdrejt me qytetarët.
“Bravo që erdhe”, iu drejtuan qytetarët ministres.
Spiropali u përgjigj se do të diskutonte çështjen me drejtuesit vendorë.
“Unë do flas tani me kryetaren e bashkisë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Edhe bashkia ka një plan të saj të zhvillimit,” u tha ajo qytetarëve.
Pas komunikimit të shkurtër, Spiropali u largua për të marrë pjesë në eventin ndërkombëtar, ndërsa tregtarët vijuan protestën duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe dialog me autoritetet lokale.






