Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike lidhur me shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, duke i cilësuar pretendimet e opozitës si “teatër politik” dhe jo veprim institucional.

 

Duke folur në Konferencën e Kryetarëve, Balla theksoi se nëse Grupi Parlamentar i PD ka ankesa për mënyrën e zhvillimit apo shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, rruga e vetme është ankimi sipas Rregullores së Kuvendit.

 

“Nëse Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ankesa në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ta ankimojë këtë vendimmarrje sipas Rregullores. Vendimi për të pritur Gjykatën Kushtetuese është vendimi i duhur, sepse edhe vetë Kuvendi është palë në këtë ngërç kushtetues.”, u shpreh Balla.

 

Sipas tij, Partia Demokratike po shmang mekanizmat ligjorë dhe institucionalë, duke zgjedhur të krijojë tension artificial për qëllime politike.

 

“PD nuk ushtron të drejtën e ankimimit sipas rregullores, por bën teatër dhe shfaqje të kota qesharake”, shtoi kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së.

 

Gjatë Konferencës së Kryetarëve, përfaqësuesit e Partisë Demokratike akuzuan mazhorancën se ka shtyrë disa herë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e çështjes që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të Kushtetutës.

Nga ana e tij, Balla insistoi se procesi po ndiqet në përputhje me rregullat parlamentare dhe se opozita po përdor retorikë politike në vend të mjeteve ligjore që i jep Rregullorja e Kuvendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu