Mazhoranca socialiste ka zyrtarizuar prishjen e konsensusit për Reformën Administrativo-Territoriale, duke propozuar ndryshimin e formulës së Komisionit të Posaçëm parlamentar, çka i jep Partisë Socialiste shumicën e anëtarëve dhe i heq opozitës të drejtën e vetos.

Sipas dokumentit që pritet të miratohet në Kuvend, Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 17 anëtarë, ku 9 do të jenë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 nga Partia Demokratike, 1 nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga Partia e Lirisë. Kjo formulë e re i jep mazhorancës kontroll të drejtpërdrejtë mbi vendimmarrjen.

Aktualisht, komisioni përbëhet nga 8 deputetë të PS-së, 6 të PD-së, Edmond Haxhinasto nga Partia e Lirisë dhe Vangjel Dule nga Aleanca për Ndryshim, duke ruajtur barazinë 8 me 8 mes mazhorancës dhe opozitës.

Me ndryshimet e propozuara, socialistët rrisin numrin në 9 anëtarë, duke thyer balancën dhe duke krijuar shumicën në komision. Paralelisht, PS ka propozuar edhe një ndryshim të dytë thelbësor: heqjen e bashkëkryesimit dhe të drejtës së vetos për opozitën.

Sipas formulës së re, kryetari i komisionit do të jetë përfaqësues i Partisë Socialiste, ndërsa zëvendëskryetari përfaqësues i Partisë Demokratike, pa kompetencë vetoje. Kjo do të thotë se Luciano Boci nuk do të jetë më bashkëkryetar i komisionit.

Mazhoranca argumenton se këto ndryshime janë të nevojshme për të shmangur bllokimin e punës së komisionit, për shkak të bojkotit të deputetëve demokratë, të cilët, sipas PS-së, kanë munguar në shumicën e mbledhjeve, në zbatim të vendimit politik të kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Komisioni për Reformën Territoriale është ngritur më 27 tetor 2025 dhe deri më tani janë njoftuar katër mbledhje, nga të cilat opozita ka marrë pjesë vetëm në një.

Ndryshimet e propozuara nga PS pritet të hapin debat të fortë politik, pasi opozita i konsideron ato si një tentativë për të imponuar reformën territoriale pa konsensus dhe jashtë standardeve të dialogut parlamentar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu