Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka përshëndetur ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me shpifjen, duke i cilësuar ato si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes në vend.

Në reagimin e saj zyrtar, OSBE thekson se këto ndryshime forcojnë mbrojtjen për gazetarët dhe janë në përputhje me rekomandimet e hershme të organizatës për mbështetjen e profesionistëve të medias.

“Ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale,” thuhet në deklaratën e OSBE-së.

Sipas organizatës, kalimi nga ndëshkimi penal drejt masave civile proporcionale do të kontribuonte në krijimin e një mjedisi më të sigurt për gazetarët dhe profesionistët e medias, duke ulur efektin frikësues që penalizimi aktual mund të ketë mbi ushtrimin e lirë të fjalës.

OSBE vlerëson se këto hapa përfaqësojnë një zhvillim pozitiv, ndërsa nxit autoritetet shqiptare të vijojnë reformat për dekriminalizimin e plotë të shpifjes, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu