
Tiranë – Trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet këtë të martë për të marrë një vendim lidhur me ankimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili kundërshton pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Seanca pritet të jetë e gjatë, pasi tetë gjyqtarët kushtetues do të paraqesin qëndrimet dhe argumentet e tyre përpara zhvillimit të procesit të votimit për marrjen e vendimit përfundimtar.
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë gjithashtu nëse në këtë rast ka pasur ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në pushtetin ekzekutiv, një çështje që prek drejtpërdrejt balancën dhe ndarjen e pushteteve.
Po ashtu, pritet të jepet një interpretim kushtetues mbi një çështje kyçe ligjore: nëse një ministër, që mban njëkohësisht edhe mandatin e deputetit, gëzon ose jo imunitetin ligjor të një deputeti gjatë ushtrimit të funksionit ekzekutiv.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet me rëndësi të veçantë, pasi mund të krijojë precedent institucional për raportet mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv, si dhe për statusin ligjor të anëtarëve të qeverisë.






