
Kur përmenden zonat më të ndotura të botës, vëmendja zakonisht shkon drejt metropoleve si Delhi apo Pekini, por të dhënat më të fundit tregojnë se Ballkani përballet me nivele alarmante të ndotjes së ajrit, shpesh më të larta se ato të kryeqyteteve aziatike, raporton The Guardian.
Sipas Prof. André Prevost nga Instituti Paul Scherer (PSI) në Zvicër, gjatë muajve të dimrit, ndotja nga grimcat e imëta në Ballkan është më e larta në Evropë. Ai thekson se në shumë raste nivelet e ndotjes tejkalojnë ato të Pekinit, ndërsa dioksidi i squfurit gjatë dimrit mund të jetë deri në 30 herë më i lartë se mesatarja e Evropës Perëndimore.
Matje direkte në Sarajevë: Ajër i mbushur me tym dhe grimca toksike
Për të krijuar një pasqyrë reale të situatës, ekipi i PSI-së përdori sensorë modernë të instaluar në një furgon të modifikuar, duke kryer xhiro 90-minutëshe rreth Sarajevës, deri në gjashtë herë në ditë.
Michael Bauer nga PSI përshkruan kushtet si ekstremisht problematike:
“Disa mbrëmje ajri ishte i mbushur me mjegull, tym druri, qymyr dhe aroma gatimesh, veçanërisht qebapë.”
Rezultatet treguan se në 66% të rasteve ndotja tejkalonte udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa në disa zona ishte mbi tetë herë më e lartë se normat e lejuara.
Zonat më të prekura ishin lagjet e banuara, ku ngrohja me dru, qymyr dhe mbetje çliron grimca toksike dhe përbërës kancerogjenë, përfshirë hidrokarbure aromatike policiklike.
Ngrohja dhe makinat e vjetra, burimet kryesore të ndotjes
Një studim i OKB-së në vitin 2023 rekomandon:
- përmirësimin e izolimit të banesave
- instalimin e ngrohjes qendrore dhe pompave të nxehtësisë
- inspektime të rregullta të kaldajave
- rritjen e ndërgjegjësimit publik
Plani parashikon uljen e përdorimit të lëndëve djegëse të ngurta me 90% deri në vitin 2033 në zonat prioritare.
Situata përkeqësohet edhe nga flota e vjetër e automjeteve:
- mosha mesatare e makinave në Sarajevë është 19 vjet
- vetëm 10% e tyre përmbushin standardet moderne evropiane të emetimeve
Për krahasim, në Mbretërinë e Bashkuar, mosha mesatare e automjeteve në vitin 2024 ishte 10 vjet.Edhe Shqipëria figuron mes vendeve të prekura rëndë, sipas të dhënave të matjeve të ajrit në rajon dhe hartave të ndotjes së ajrit: vendi përfshihet në zonat me nivel relativisht të lartë të grimcave PM2.5, që sipas ekspertëve përkthehet në efekt shëndetësor negativ, duke u krahasuar si nëse një person përthithte rreth 7 cigare në ditë, nëse ndotja do të përkthehej në konsum të duhanit .
Shqiptarët, bashkë me banorët e vendeve të tjera në Ballkan, rrezikohen nga ngrohja me druri, qymyr dhe mbeturina, si dhe flota e vjetër e automjeteve, të cilat kontribuojnë në përqendrime të larta të grimcave të imëta në ajër dhe substancave toksike që lidhen me sëmundje respiratore e kardiovaskulare .
Ekspertët rekomandojnë masa urgjente si përmirësim i izolimit të shtëpive, zëvendësim i ngrohjes me lëndë djegëse të ngurta, instalim të ngrohjes qendrore dhe pompave të nxehtësisë, si dhe inspektime të sistemit të mjedisit dhe motorëve për të ulur ngarkesën e ndotjes deri në 90 % deri në vitin 2033



