
Pesë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të lënduar gjatë protestës kombëtare të opozitës, pasi protestues hodhën bomba molotov dhe sende të forta në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, përveç molotovëve janë hedhur edhe objekte të forta, ndërsa tensionet u përshkallëzuan menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Forcat e rendit reaguan duke përdorur gaz lotsjellës, pasi protestuesit lëshuan molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të Kryeministrisë. Pas incidenteve, policia forcoi masat e sigurisë dhe ndërhyri për shpërndarjen e turmës.
Protesta e opozitës u zhvillua me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas skandaleve të denoncuara nga opozita dhe vënies së kësaj të fundit nën akuzë nga SPAK.
Situata mbetet nën monitorim nga autoritetet, ndërsa policia po vlerëson dëmet dhe pasojat e ngjarjes.



