Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i kërkoi të gjithë deputetëve në Kuvend të ratifikojnë sot pa humbur kohë Kartën e Bordit të Paqes përbën një vendim me peshë të veçantë politike dhe historike për Shqipërinë.

“Sot Kuvendi i Shqipërisë thirret të marrë një vendim që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Balla gjatë seancës plenare.

Ai theksoi se Shqipëria është ftuar të marrë pjesë në Bordin e Paqes si Vend Anëtar Themelues, duke e cilësuar këtë si një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për vendin.
“Kjo ftesë përbën një moment të paprecedent, ku Shqipëria shihet si aktor që kontribuon në zgjidhje globale dhe jo thjesht si pjesë periferike e tyre”, tha Balla.
Sipas tij, ftesa nuk është as formale dhe as simbolike.
“Kjo ftesë nuk është e zakonshme. Nuk është formale. Dhe nuk është simbolike”, nënvizoi ai.

Duke iu referuar letrës zyrtare drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Balla deklaroi se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka cilësuar nismën për Bordin e Paqes si historike.
“Presidenti amerikan e përshkruan këtë nismë si një përpjekje madhore për ndërtimin e paqes, me një qasje pragmatike, të orientuar drejt rezultateve konkrete dhe larg modeleve burokratike që kanë dështuar”, tha Balla.

Ai sqaroi se Karta e Bordit të Paqes garanton plotësisht sovranitetin e shteteve anëtare.“Asnjë shtet nuk humbet sovranitetin e tij. Asnjë detyrim nuk imponohet pa pëlqimin e shtetit anëtar. Pjesëmarrja në misione është vullnetare dhe financimi është vullnetar”, deklaroi Balla.

Sipas tij, Shqipëria ftohet të marrë pjesë jo si vëzhguese, por si bashkëthemeluese.“Shqipëria ftohet jo si vëzhguese, por si bashkë-arkitekte për themelimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen”, u shpreh ai.

Balla e cilësoi këtë hap si një kalim simbolik nga periferia në qendër të vendimmarrjes globale.“Ky është një kalim nga periferia e diskutimeve globale në qendër të tryezës së vendimmarrjes”, tha ai, duke shtuar se sot pesha politike e një vendi përcaktohet nga “besueshmëria, koherenca dhe vendosmëria”.

Në fjalën e tij, Balla theksoi edhe rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Kjo ftesë konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetin strategjik Shqipëri–SHBA, i cili mbetet boshti kryesor i politikës së jashtme shqiptare”, deklaroi ai.

Në përmbyllje, Balla i bëri thirrje të gjitha forcave politike të mbështesin ratifikimin e Kartës.“Sot opozita nuk ftohet të votojë për një parti. Nuk po votojmë për një mazhorancë apo opozitë. Sot po votojmë për Shqipërinë dhe për rolin që ajo zgjedh të luajë në botë”, theksoi ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu