
Reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore të vendit, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, si edhe në Sarandë.
Policia Rrugore dhe shërbimet e Patrullave të Përgjithshme ndodhen në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën ndaj përdoruesve të rrugës në rast nevoje. Paralelisht, po vijon bashkëpunimi me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore për pastrimin e akseve nga bora dhe shpërndarjen e kripës.
Sipas njoftimit zyrtar, në Qafë Thanë nuk do të lejohet qarkullimi i kamionëve për rreth 2–3 orë, deri në pastrimin e plotë të rrugës nga borëpastruesit në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve që të:
- tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes,
- respektojnë sinjalistikën rrugore,
- pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore,
- ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.
Për çdo nevojë për ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë numrin 112.



