Screenshot

Kryeministri Edi Rama njoftoi se i ka përcjellë zyrtarisht Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, përgjigjen e ftesës për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, një nismë e re ndërkombëtare për promovimin e paqes dhe stabilitetit global.

“Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Së shpejti ky angazhim do t’i përcillet edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim,” – shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me hashtagun #KrenarpërShqipërinë.

Në letrën zyrtare drejtuar Presidentit amerikan, Kryeministri shpreh mirënjohjen për ftesën personale dhe për përfshirjen e Republikës së Shqipërisë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, duke e cilësuar nismën si një instrument të domosdoshëm në një kohë kur konfliktet dhe përçarjet dominojnë skenën ndërkombëtare.

“Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht,” – thekson Rama, duke shtuar se Bordi i Paqes mishëron domosdoshmërinë urgjente për veprim konkret dhe jo thjesht diskutime formale.

Sipas Kryeministrit, kjo nismë nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash politike, por si një mekanizëm i përqendruar dhe i drejtpërdrejtë i udhëheqjes globale.

“Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale,” – shkruan Rama në letrën drejtuar Trump.

Ai thekson gjithashtu se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes, duke nënvizuar se paqja shpesh mbërrin tepër vonë për shkak të vonesave procedurale.

Në vijim, Rama riafirmon aleancën strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kujtuar rolin vendimtar të SHBA-së në garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare,” – shkruan Kryeministri.

Në përfundim të letrës, Rama shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar personalisht dhe institucionalisht në misionin e Bordit të Paqes, duke e cilësuar angazhimin si një nder dhe privilegj për Shqipërinë.

Angazhimi i Shqipërisë në këtë nismë pritet t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim, duke formalizuar kështu pjesëmarrjen e vendit në Bordin e Paqes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu