Como, 15 janar 2026 – Milani ka arritur një fitore të rëndësishme 1-3 ndaj Komos, duke mbetur në ndjekje të Interit në krye të Serisë A. Kuqezinjtë treguan karakter dhe cilësi, duke përmbysur rezultatin pas një starti të vështirë.

Vendasit e Komos e nisën ndeshjen në mënyrë furioze dhe kaluan në avantazh që në minutën e 10-të, kur Kempf gjeti rrugën e rrjetës. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fàbregas dominoi pjesën e parë, duke regjistruar pesë goditje në kuadrat, por u përball me një Mike Maignan në superformë, i cili mbajti Milanin në lojë.

Në minutën e 45+1’, Adrien Rabiot fitoi një penallti, e cila u shndërrua në gol nga Christopher Nkunku, duke barazuar shifrat në fundin e pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, ishte sërish Rabiot protagonisti absolut. Mesfushori francez përmbysi rezultatin në minutën e 55-të, ndërsa në minutën e 88-të vulosi fitoren me një goditje të fuqishme nga distanca, duke firmosur shifrat përfundimtare 1-3.

Rabiot dhe Maignan ishin pa diskutim lojtarët më të mirë në fushë për Milanin, duke i siguruar kuqezinjve tre pikë shumë të çmuara në transfertë.

Pas këtij suksesi, Milani mbetet në vendin e dytë në Serinë A, ndërsa skuadra e Massimiliano Allegrit do të kërkojë të regjistrojë dy fitore radhazi në ndeshjen e radhës në shtëpi ndaj Leçes, të dielën. Nga ana tjetër, Komo mbetet në vendin e gjashtë, pavarësisht humbjes së rekordit të pamposhtur në ndeshjet shtëpiake.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu