Tiranë, 15 janar 2026 – Gjykata Kushtetuese ka vendosur kufizime të qarta për sekuestrimin dhe kontrollin e telefonave celularë, duke përcaktuar se SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm nuk mund të analizojnë përmbajtjen e një pajisjeje elektronike pa autorizim të posaçëm gjyqësor.

Vendimi, i marrë në korrik të vitit 2025, por i zbardhur vetëm së fundmi, parashikon që çdo kontroll i telefonave duhet të bazohet në një vendim gjykate, i cili përcakton qartë objektin konkret të kërkimit, në funksion të hetimit penal.

Sipas Kushtetueses, edhe në rastet e sekuestrimit në kushte urgjence, organet e policisë gjyqësore nuk fitojnë automatikisht të drejtën për të hyrë, analizuar apo përzgjedhur të dhëna nga pajisjet elektronike.

“Për këtë ndërhyrje kërkohet vendim gjykate, i cili përcakton modalitetet konkrete të kërkimit dhe të administrimit të të dhënave, në mënyrë që ndërhyrja të kufizohet vetëm në atë që është rreptësisht e nevojshme”, thekson Gjykata Kushtetuese.

Vendimi parashikon gjithashtu ndalimin e çdo veprimi të paautorizuar, përfshirë hapjen e pajisjes, nxjerrjen, përpunimin apo përdorimin e të dhënave personale dhe të korrespondencës. Pajisja e sekuestruar duhet të ruhet e mbyllur dhe e vulosur, mundësisht në prani të individit ose avokatit të tij, duke u dokumentuar me procesverbal.

Gjykata vlerëson se sekuestrimi i një telefoni inteligjent është i barasvlershëm me sekuestrimin e korrespondencës apo të të dhënave personale, të cilat gëzojnë mbrojtje kushtetuese. Sipas saj, telefonat përmbajnë një gamë të gjerë informacioni mbi jetën private, profesionale dhe shoqërore të individit dhe nuk mund të trajtohen si sende të zakonshme provuese.

Kushtetuesja sqaron se ky vendim nuk ka fuqi prapavepruese, por duhet të zbatohet në të ardhmen nga të gjitha organet e drejtësisë.

Gjatë pesë viteve të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, telefonat celularë janë shndërruar në një nga burimet kryesore të provës, veçanërisht në hetimet për korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu