
Pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme sigurie, duke transferuar 15 të burgosur me rrezikshmëri të lartë nga Burgu i Durrësit drejt IEVP Peqin, burgut të sigurisë së lartë.
Burime bëjnë me dije se mes të transferuarve janë emra të njohur të botës së krimit, si Lulzim Berisha, Orges Molla dhe Juxhin Koka, si dhe dy shtetas brazilianë dhe një shtetas nga Venezuela. Transferimi u krye në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026, nën masa ekstreme sigurie.
Operacioni u zhvillua pak pas mesnate, me shoqërimin e dhjetëra mjeteve policore dhe zbatimin e protokolleve të rrepta. Kolona e mjeteve mbërriti në Peqin rreth orës 00:15.
Vendimi për zhvendosjen e të dënuarve dhe paraburgosurve me rrezikshmëri të lartë erdhi pas shqetësimeve serioze për nivelin e sigurisë në Burgu i Durrësit, i njohur edhe si “burgu i VIP-ave”. Pas arratisjes së Ndocit, institucioni u vu në qendër të vëmendjes për kushtet dhe masat e sigurisë që ofron.
Sipas burimeve zyrtare, 206 të dënuar dhe paraburgosur janë rivlerësuar për shkallën e rrezikshmërisë, ndërsa më problematikët janë përzgjedhur për t’u sistemuar në IEVP Peqin, i cili disponon seksione të posaçme të sigurisë së lartë.
Autoritetet nuk përjashtojnë masa të tjera shtesë në ditët në vijim, në kuadër të forcimit të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe parandalimit të rasteve të ngjashme.






