
Bashkimi Evropian po përpiqet të rikthejë në binarë dialogun e ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa i dërguari i posaçëm i BE-së, Peter Sorensen, zhvilloi sot vizitë në Prishtinë, ku u takua me krerët më të lartë institucionalë të vendit.
Sorensen u takua fillimisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ndërsa më pas zhvilloi takim edhe me presidenten Vjosa Osmani. Pas këtyre takimeve nuk pati deklarata për media, çka reflekton ndjeshmërinë dhe ngërçin që vazhdon të shoqërojë procesin e dialogut.
Gjatë ditës, emisari evropian pritet të takojë edhe përfaqësues të opozitës kosovare, përpara se të udhëtojë drejt Beogradit, ku do të zhvillojë takime me udhëheqjen serbe.
Vizita vjen në një moment të veçantë politik për Kosovën, e cila ndodhet në pritje të krijimit të institucioneve të reja shtetërore, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të fituara bindshëm nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.
Kjo është vizita e parë e Sorensenit që nga vazhdimi i mandatit të tij edhe për dy vite të tjera si ndërmjetës i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi. Gjatë mandatit të parë, procesi pati rezultate minimale, me vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, pa progres konkret.
Burime diplomatike në Bruksel pranojnë se shanset për një rifillim real të dialogut në afat të shkurtër mbeten të ulëta, për shkak të zhvillimeve të brendshme politike si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Skepticizmi është i pranishëm edhe për shkak të mungesës së një presioni të fortë politik nga BE-ja.
Në këtë sfond, pritet që Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar një rund të nivelit të lartë politik, të kërkojë një sukses diplomatik në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur BE-ja është lënë shpesh në hije në çështje madhore globale si Ukraina, Gaza dhe Irani.
Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2023 Marrëveshjen e Ohrit, e cilësuar si rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve, por pa asnjë hap konkret në zbatim. Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, BE-ja këmbëngul se ajo është detyrimore për të dyja palët.
Marrëveshja me 11 nene parashikon, ndër të tjera, vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë, njohje të simboleve shtetërore, mosbllokim të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe zbatim të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme të dialogut 15-vjeçar.






