
Lezhë, 13 janar 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të martë një takim me demokratët në Lezhë, në kuadër të “Foltores”, që përkoi edhe me 35-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në këtë qytet.
Në fjalën e tij, Berisha lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po bllokon drejtësinë për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët e tij nga hetimet. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të penguar drejtësinë do të ketë pasoja politike të rënda.
“Po bllokove drejtësinë, do të kesh fatin e babait tënd shpirtëror, Enver Hoxhës”, deklaroi Berisha nga Lezha.
Kreu i opozitës theksoi se Partia Demokratike ka kaluar një betejë të vështirë jo vetëm me qeverinë, por edhe, siç u shpreh ai, me “misionarët e saj brenda PD-së” dhe me ndikime ndërkombëtare që synuan izolimin dhe dobësimin e opozitës.
Sipas Berishës, përpjekjet për ta nxjerrë PD-në jashtë loje kanë dështuar, ndërsa partia sot është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë. Ai deklaroi se opozita ka fituar mbështetje të gjerë ndërkombëtare dhe është e vendosur për të çuar deri në fund betejën kundër asaj që e cilësoi si “narko-qeveri”.
Në fjalën e tij, Berisha ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht në protestën e thirrur më 24 janar në Tiranë.
“Me 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të derdhen në Tiranë për të treguar vendosmërinë për të larguar këtë qeveri nga pushteti”, u shpreh ai.
Takimi në Lezhë u shoqërua me thirrje për unitet, mobilizim dhe përmbushjen e misionit të opozitës për, sipas Berishës, rikthimin e demokracisë dhe garantimin e votës së lirë në Shqipëri.






