
TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po provokon qytetarët në mes të situatës së rëndë të përmbytjeve dhe se po përdor drejtësinë për qëllime politike.

Në një deklaratë në një Dëgjesë Publike me partitë opozitare, aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave, organizatave, medias dhe intelektualë publikë, Berisha tha se dërgimi i Belinda Balluku në zonën e Ura e Mifolit ishte një akt provokues, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që, sipas tij, të reagojnë simbolikisht ndaj ministrave kudo që t’i shohin.
![]()
“I bëj thirrje qytetarëve, kudo që të shihni ministra, t’i gjuani me domate ose vezë. Këta janë shkaktarët kryesorë të fatkeqësive tuaja”, u shpreh Berisha.
Ai e akuzoi qeverinë se po refuzon qëllimisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për përmbytjet, pasi kjo – sipas tij – do ta detyronte shtetin të aktivizonte fondin rezervë dhe të dëmshpërblente menjëherë qytetarët e prekur.
Berisha solli si shembull situatën në Durrës, duke deklaruar se hidrovorët nuk funksionojnë dhe se pajisjet janë vjedhur ose të nxjerra jashtë pune. “Durrësi është përmbytur në mënyrë apokaliptike. Pa largimin e ujërave, aty nuk jetohet më”, tha ai.
Në vijim, kreu i opozitës u ndal edhe te çështja e imuniteteve, duke akuzuar mazhorancën se po bllokon kërkesat e drejtësisë. Ai bëri krahasime me periudhën 2005–2013, duke thënë se atëherë çdo kërkesë e prokurorisë zbatohej pa diskutim dhe se zyrtarët dorëzonin vetë imunitetin.

Sipas Berishës, aktualisht vendi ndodhet përballë asaj që ai e cilësoi si “një lloj grushti shteti institucional”, ndërsa vuri në dyshim legjitimitetin e qeverisë, duke pretenduar se ajo ka dalë nga “zgjedhje farsë”. Ai iu referua edhe deklaratave dhe raporteve ndërkombëtare, sipas të cilave – siç tha – krimi i organizuar pengon rrotacionin politik në Shqipëri.
Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, të shoqëruar me përmbytje të shumta dhe debate të forta mbi përgjegjësitë institucionale.






