
Spitali Universitar i Traumës ka reaguar zyrtarisht pas përplasjes së ndodhur një natë më parë mes protestuesve dhe forcave të rendit para Kryeministria, duke konfirmuar se pesë persona kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe dy efektivë të Policisë së Shtetit si dhe kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj.
Sipas njoftimit zyrtar, mbrëmjen e djeshme në ambientet e spitalit janë paraqitur pesë persona për ndihmë mjekësore, dy prej të cilëve ishin efektivë policie. Njëri prej policëve ka lënë spitalin pas trajtimit, ndërsa efektivi tjetër vijon të jetë i shtruar, nën kujdesin e mjekëve.
Sa i përket gjendjes së Adriatik Lapajt, Spitali i Traumës bën me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por po vazhdon të mbahet i hospitalizuar për monitorim dhe trajtim të mëtejshëm nga stafi mjekësor.
“Z. Adriatik Lapaj, pas ekzaminimeve të kryera, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por po vijon të qëndrojë në spital nën kujdesin e ekipit mjekësor. Gjithashtu, për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy protestues të tjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe kanë lënë ambientet e spitalit pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të Spitalit Universitar të Traumës.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te tensionet e krijuara gjatë protestave të natës para Kryeministrisë, ndërsa priten reagime të mëtejshme nga palët politike dhe institucionet përgjegjëse lidhur me incidentin.







