
Gjykata Kushtetuese ka përgënjeshtruar si të pavërteta disa deklarata mediatike që ajo tha se janë bërë nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimin ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, që e riktheu atë në detyrë.
Në një deklaratë, gjykata tha se procedura gjyqësore është në vijim e sipër. Ajo shprehet se çështje do të merret në shqyrtim në seancë publike më 22 janar teksa kërkues është kryeministri i vendit dhe subjekte të interesuara, Presidenti i Republikës, Kuvendi, SPAK dhe GJKKO.
“Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi”, deklaroi GJK.
Në fund, Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore.
“Duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai”, tha GJK.
Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me Tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Por Gjykata Kushtetuese e pezulloi vendimin, duke e rikthyer automatikisht në detyrë, ndërsa do ta shqyrtojë çështjen më 22 Janar.
Pas kësaj, SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, por mazhoranca ka vendosur që për këtë të vendoset pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese.







