
Një mace është shpëtuar mbrëmjen e kaluar nga zjarrfikësit, pas një situate alarmante të raportuar në rrjete sociale. Rasti u denoncua nga arsalbania, ku thuhej se kafsha dyshohej se ndodhej prej disa ditësh e bllokuar në një ballkon në zonën e Astirit.
Sipas denoncimit, macja ishte në katin e tretë të pallatit, duke qarë vazhdimisht, ndërsa pronari i saj thuhej se nuk ndodhej në banesë. Gjendja e kafshës kishte ngritur shqetësim te banorët dhe ndjekësit në rrjete sociale, të cilët bënë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme.
Pas apelit publik, në mbrëmje ka ndërhyrë shërbimi zjarrfikës, duke bërë të mundur shpëtimin e maces dhe shmangien e një rreziku më të madh për jetën e saj. Autorët e denoncimit kishin kërkuar që pronari ta shihte postimin dhe të vepronte sa më shpejt për ta futur macen brenda, përpara se situata të përkeqësohej.
Rasti rikthen vëmendjen te përgjegjësia e pronarëve për kujdesin ndaj kafshëve shtëpiake dhe rëndësia e reagimit në kohë nga institucionet në raste emergjente.







