
Tiranë, 27 dhjetor 2025 – Kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të referencës për zhdoganimin e automjeteve të përdorura, të cilat parashikojnë rritje deri në 25% për një gamë të gjerë mjetesh, përfshirë autovetura, kamionçina, furgonë dhe kamionë. Ndryshimet janë miratuar me Udhëzimin nr. 26, datë 17.12.2025 të Ministrisë së Financave dhe zbatohen pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Çmimet e referencës përdoren nga doganat për vlerësimin e automjeteve me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare europiane si Quattroroute, Tuttotrasporti dhe Schwackeliste. Me udhëzimin e ri, pragjet minimale të zhdoganimit janë rritur ndjeshëm.
Autovetura
- 1400–1900 cc: nga 200 mijë në 250 mijë lekë
- 1900–2500 cc: nga 325 mijë në 406 mijë lekë
- 2500–3000 cc: nga 400 mijë në 500 mijë lekë
- 3000–4500 cc: nga 500 mijë në 625 mijë lekë
- Mbi 4500 cc: mbetet 1 milion lekë
Kamionçina, furgonë dhe kamionë
- Deri 1.5 tonë: nga 400 mijë në 500 mijë lekë
- 1.5–3.5 tonë: nga 600 mijë në 750 mijë lekë
- 3.5–10 tonë: nga 850 mijë në 1,062,500 lekë
- 10–15 tonë: nga 1 milion në 1,250,000 lekë
- Mbi 15 tonë: nga 1.2 milion në 1.5 milion lekë
Sipas autoriteteve, ndryshimet synojnë përditësimin e vlerave doganore në përputhje me çmimet reale të tregjeve europiane. Rritja e pragjeve minimale pritet të ndikojë drejtpërdrejt në koston e importit të mjeteve të përdorura, veçanërisht për automjetet me cilindratë të lartë dhe mjetet e transportit.







