
Dy shtetas izraelitë janë vrarë pas një sulmi me përplasje makine dhe goditje me thikë të kryer nga një palestinez në veri të Izrael, njoftoi policia izraelite.
Sipas autoriteteve, autori – një palestinez nga Bregu Perëndimor – fillimisht ka përplasur me makinë një këmbësor 68-vjeçar në qytetin Beit She’an, duke e lënë të vdekur. Më pas ai ka vijuar sulmin duke goditur me thikë një vajzë 17-vjeçare pranë kibucit Ein Harod, e cila gjithashtu humbi jetën. Një djalë 16-vjeçar mbeti i plagosur, sipas shërbimit emergjent izraelit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu identifikoi viktimat si Shimshon Mordechai, 68 vjeç, dhe Aviv Maor, 17 vjeç. Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) bënë të ditur se hetimet paraprake tregojnë se sulmuesi ishte një banor ilegal që kishte depërtuar në territorin izraelit disa ditë më parë.
Policia tha se autori u neutralizua nga një civil në qytetin e afërt Afula dhe më pas u dërgua në spital në gjendje të moderuar.
Pas ngjarjes, ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz urdhëroi një operacion ushtarak në qytetin Qabatiya, vendlindja e të dyshuarit, pranë Jenin. Ai deklaroi se IDF duhet të veprojë “me forcë dhe menjëherë” për të goditur infrastrukturën terroriste.
Nga ana tjetër, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e përdori sulmin për të kërkuar miratimin e ligjit për dënimin me vdekje të terroristëve, duke e cilësuar masën si “urgjente”.
Beit She’an dhe Afula ndodhen në Luginën e Jezreelit, pranë kufirit me pjesët veriore të Bregut Perëndimor, zona që edhe më herët ka përjetuar sulme vdekjeprurëse.







