Autoritetet turke kanë njoftuar se kanë parandaluar sulme të planifikuara gjatë Krishtlindjeve dhe festimeve të Vitit të Ri, pas arrestimit të 115 personave të dyshuar si pjesëtarë ose mbështetës të organizatës terroriste të Shtetit Islamik.

Sipas prokurorisë së Stambollit, operacionet janë zhvilluar në 124 adresa të ndryshme në qytet, ku janë sekuestruar armë zjarri, municione dhe dokumente organizative. Hetuesit deklarojnë se të dyshuarit po përgatisnin sulme gjatë kësaj jave, kryesisht kundër komuniteteve jo-myslimane në Turqi.

Policia bëri të ditur se operacionet janë ende në vijim për kapjen e 22 personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në të njëjtin rrjet. Prokuroria thekson se të arrestuarit kishin kontakte të drejtpërdrejta me operativë të ISIS-it jashtë Turqisë.

Njoftimi vjen vetëm dy ditë pas një operacioni të shërbimeve sekrete turke në zonën kufitare Afganistan–Pakistan, ku u arrestua një shtetas turk i dyshuar se kishte rol drejtues në degën rajonale të ISIS-it dhe se po planifikonte sulme ndaj civilëve.

Shërbimet e sigurisë turke zhvillojnë rregullisht operacione kundër rrjeteve të lidhura me ISIS-in, ndërsa Turqia ndan një kufi rreth 900 kilometra me Sirinë, ku grupi terrorist vijon të ketë prani në disa zona.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu