
Në natën e Krishtlindjes, mijëra besimtarë u mblodhën në Betlehem për Meshën e Shenjtë të kremtuar nga Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jerusalemit. Ceremonia u zhvillua në Kishën e Lindjes së Krishtit dhe në Sheshin e Grazhdit, duke shënuar një rikthim simbolik të festimeve publike pas dy vitesh të zymta për shkak të luftës në Gaza.
Në homelinë e tij, kardinali Pizzaballa përcolli një mesazh të fortë shprese dhe paqeje, duke theksuar se Krishtlindja na fton të shohim përtej dhunës dhe logjikës së dominimit. Ai nënvizoi se Zoti hyn në histori ashtu siç është, edhe kur ajo duket e padrejtë dhe e dhunshme, duke mbjellë në të një “farë të pathyeshme paqeje”. Mesazhi u dha në një kontekst rajonal ende të tensionuar, me zhvillime të vazhdueshme në Tokën e Shenjtë.
Patriarku foli edhe për vizitën e tij të fundit në Gaza, ku tha se kishte parë vuajtje të mëdha, por edhe një dëshirë të fortë për jetë dhe rindërtim. “Plagët janë të thella, por shpresa nuk është shuar”, u shpreh ai, duke shtuar se paqja e Krishtlindjes nuk është rezultat i marrëveshjeve politike të brishta, por një dhuratë që duhet pranuar dhe mbrojtur.
Këtë vit, Betlehemi pa rikthimin e pemës së madhe të Krishtlindjes dhe të procesioneve festive, si dhe praninë e pelegrinëve të parë të huaj. “Ne të gjithë zgjedhim të jemi dritë – dhe drita e Betlehemit është drita e botës”, përfundoi kardinali Pizzaballa, mes duartrokitjeve të besimtarëve.




