
TIRANA- Kryeministri Edi Rama ka vizituar këtë të enjte Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ka takuar fëmijët që do të kalojnë festat e fundvitit në spital, pacientët e shërbimit të Onkologjikut, si dhe personelin mjekësor dhe ndihmës.
Gjatë vizitës, Rama u ndal edhe te skandali i publikuar një vit më parë në departamentin e Onkologjikut, duke e cilësuar atë si një njollë të rëndë që, sipas tij, u pagua nga të gjithë sistemi shëndetësor dhe shoqëria. Ai theksoi se, ndonëse raste të tilla kanë ndikim të madh publik, ato nuk përfaqësojnë punën e përditshme të mijëra profesionistëve të shëndetit.
Kryeministri vuri në dukje se sistemi shëndetësor realizon çdo vit rreth 95 mijë ndërhyrje në trupin e njeriut, përfshirë dhjetëra mijëra operacione dhe ndërhyrje mikrokirurgjikale të suksesshme, por këto, sipas tij, rrallëherë marrin vëmendje publike. Në të kundërt, sipas tij, një operacion i dështuar apo një ngjarje tragjike kthehet menjëherë në lajm dhe shkakton reagime të forta.
“Është sakrifica dhe përkushtimi i të gjithë mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të Urgjencës Kombëtare, si dhe i gjithë stafit mbështetës, që punojnë çdo orë dhe çdo ditë të vitit pa pushim, duke shpëtuar jetë dhe duke shëruar njerëz të sëmurë. E mira nuk bën lajm, e keqja po. Natyrisht, rreth 60 mijë operacione të suksesshme që kryen shërbimi ynë shëndetësor çdo vit dhe mbi 35 mijë ndërhyrje mikrokirurgjikale, të cilat janë të suksesshme, nuk bëhen lajm, sepse nuk janë lajme të këqija.
Mjafton një operacion i dështuar, mjafton një tragjedi, për ta kthyer në të kundërt perceptimin për të gjithë trupën e mjekëve dhe për gjithë shërbimin tonë kombëtar shëndetësor. Kur ndodh që brenda këtij shërbimi identifikohen individë apo veprimtari që njollosin bluzën e bardhë, kostoja e reputacionit është shumë e lartë dhe e paguajnë të gjithë.
Në fund të ditës, si ata që e dinë çfarë do të thotë të shërbesh, ashtu edhe ata që marrin shërbim, e dinë se pjesa pozitive është ajo që dominon. Para se të vinim këtu, kujtuam Onkologjikun, që, siç e dini, u bë shkas në një moment të caktuar për të ulur kokën të gjithë përballë fakteve që nuk nderojnë askënd. Megjithatë, takuam disa pacientë që ishin shumë të kënaqur me shërbimin dhe ishin të sinqertë në fjalët e tyre.
I thoja drejtoreshës dhe ministres se opinioni ushqehet me një negativitet të madh për shërbimin shëndetësor nga ata që nuk kanë marrë shërbim në spital. Pjesa dërrmuese e atyre që kanë marrë shërbim, i kujtojnë mjekët për mirë”, tha Rama./ Dosja.al







