Kreu i opozitës Sali Berisha mbajti një fjalim të ashpër në protestën e zhvilluar në shesh, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se “u ka shpallur luftë shqiptarëve” dhe duke paralajmëruar përshkallëzim të aksionit opozitar. “Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë. Nuk do i ndahemi as në Surrel”, deklaroi Berisha para mbështetësve.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se opozita ka përmbushur, sipas tij, detyrat kryesore duke denoncuar para opinionit ndërkombëtar atë që e cilësoi si “narkoshtet” dhe duke dëshmuar se vota e qytetarëve është shndërruar në farsë. Ai e akuzoi Ramën për shkelje të pluralizmit dhe lidhje me krimin e organizuar, duke e quajtur “armik të egër të demokracisë”.

“Kemi një mesazh të qartë: në këmbë shqiptarë, për të shpëtuar Shqipërinë, demokracinë dhe familjen shqiptare”, u shpreh Berisha, ndërsa shtoi se opozita është e vendosur të vijojë betejën politike deri në fund. “Ju jap fjalën se ne do bëjmë atë: ja do vdesim, ja do rrojmë për liri”, tha ai, mes brohoritjeve të protestuesve.

Berisha paralajmëroi se protesta dhe presioni qytetar do të vijojnë, duke theksuar se “sheshi është i yni” dhe se opozita nuk do të tërhiqet. “Kudo që të jesh, nuk të ndahemi. Nuk të ndahemi këtu, nuk të ndahemi as në Surrel”, deklaroi ai, duke i bërë thirrje mbështetësve për mobilizim të vazhdueshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu