
Një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës është shoqëruar me një incident. 3 persona kanë kundërshtuar ndërhyrjen e IMT-së në biznesin e tyre ku bëhej fjalë për prishjen e tendave, duke dhunuar fizikisht drejtorin re IMT-së së Vlorës e më pas inspektorin përgjegjës që e shoqëronte.
Irfan Dalipaj 58 vjeç Drisild Dalipaj 27 vjeç dhe Fabio Dalipaj 23 vjeç (babai dhe 2 djemtë) janë 3 personat e ndaluar, të cilët janë përfshirë në konflikt me drejtorin dhe inspektorin e IMT-së. Ndërkohë Drisild Dalipaj është i punësuar si polic bashkiak në Vlorë.
Po këta persona janë përplasur fizikisht dhe me dy efektivë të policisë rrugore, të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën. Në këto kushte me qëllim për të ndaluar dhunën fizike, njëri prej policëve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër. Si pasojë e goditjeve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
/shqiptarja






