Nga akuza direkte ndaj Top Channel te karrigia e opinionistes – Monika Kryemadhi nisi mbrëmë punë në këtë TV, në rolin e opinionistes në Big Brother VIP 5

Monika Kryemadhi u shfaq mbrëmjen e kaluar për herë të parë si opinioniste në Big Brother VIP 5, duke iu bashkuar panelit përkrah Arbër Hajdarit. Prania e saj në spektaklin më të ndjekur televiziv ka nxitur reagime të forta, për shkak të kontrastit të hapur me deklaratat e saj të mëparshme publike.

Vetëm pak kohë më parë, Kryemadhi kishte akuza të drejtpërdrejta dhe specifike ndaj Top Channel, duke e akuzuar publikisht për mashtrim dhe falsifikim materialesh për përfitime financiare. Në deklaratat e dhëna në atë periudhë, ajo theksonte se televizioni kishte përdorur materiale të pavërteta për përfshirjen e saj në kompani offshore dhe paralajmëronte padi penale dhe civile ndaj Top Channel.

Vetëm dy vjet më parë Kryemadhi ishte NON GRATA në këtë ekran i cili e akuzonte ish kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi se ka përfituar para nga kompani offshore të cilat kontrollohen nga oligarkë rusë të naftës. Një investigim i “Eureporters” i publikuar në Top Channel zbardhte transfertat bankare që janë kryer në vitin 2017 në emër të Monika Kryemadhit. Pagesat janë marrë nga kompania offshore Holdem Holdings, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan. Monika Kryemadhi dyshohet se është aksionere në kompaninë offshore të kontrolluar nga rusët, pasi në mandat pagesat thuhet se shuma prej 13 mijë e 500 euro është marrë si dividend për aksioneren, Monika Kryemadhi shkruante Top Channel më 15 mars 2023.

Në qëndrimet e saj, Kryemadhi deklaronte se nuk kishte asnjë llogari bankare, biznes apo kompani offshore jashtë Shqipërisë dhe lidhte drejtpërdrejt Top Channel me aferën e inceneratorit të Tiranës, duke përmendur edhe emrin e Mirel Mërtiri si person i lidhur me interesat financiare pas akuzave ndaj saj.

Mbrëmë, ndërsa u ul në karrigen e opinionistes (që paguhet me rrogë nga borderotë e TV) në një format që transmetohet pikërisht në Top Channel, kontrasti u bë edhe më i dukshëm. Nga një figurë që fliste për “televizion të korruptuar” dhe “manipulim mediatik”, Kryemadhi tashmë është pjesë e një prej produkteve kryesore të këtij ekrani.

Për kritikët, ky zhvillim shihet si një përpjekje për normalizim dhe rehabilitim publik përmes showbiz-it, ndërsa për publikun ironia është e pashmangshme:

Kryemadhi mund ta ketë lënë politikën por jo huqin e politikanëve.

Një rast tipik që na vërteton fjalën popullore se “politika është k…ë”!

E dinim që politika s’është grua e ndershme, por ajo që na mësoi Monika është se politika vuaka edhe nga skleroza dhe lëpirja e gëlbazave që ke hedhur.

Ndaj, shikim të këndshëm kujt s’i vjen ende për të vjellë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu