
Në Itali, pothuajse katër nga dhjetë familje jetojnë me të paktën një kafshë shtëpiake. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit të ISTAT për vitin 2024, të përfshira në anketën “Qytetarët dhe koha e lirë”, sipas së cilës mbi 10 milionë familje, ose 37.7% e totalit, kanë një ose më shumë kafshë në shtëpi.
Shifra shënon një rritje të lehtë, por të qëndrueshme krahasuar me vitin 2015, kur përqindja ishte 36.2%. Pas një dekade stabiliteti (2006–2015), trendi i adoptimit të kafshëve shtëpiake po rritet gradualisht, si pasojë e ndryshimit të stileve të jetesës dhe prioriteteve familjare. Veçanërisht vihet re rritje e ndjeshme tek çiftet pa fëmijë, ku kafshët shtëpiake po zënë gjithnjë e më shumë vend në jetën e përditshme.
Në total, vlerësohet se në banesat italiane jetojnë rreth 25.5 milionë kafshë shtëpiake.

Qentë dhe macet kryesojnë
Qentë dhe macet mbeten kafshët më të përhapura. Në vitin 2024, 33.9% e familjeve kanë të paktën një qen, një mace ose të dyja. Konkretisht:
- 22.1% e familjeve kanë një ose më shumë qen
- 17.4% jetojnë me një ose më shumë mace
Mesatarisht, familjet që kanë kafshë posedojnë 1.3 qen dhe 1.8 mace, çka tregon se shpesh nuk bëhet fjalë vetëm për një kafshë të vetme.
Prania e kafshëve të tjera është më e kufizuar: peshqit gjenden në 3.2% të familjeve, ndërsa rreth 6% kanë kafshë të tjera si zogj apo breshka. Ndërkohë, kjo kategori ka shënuar rënie të lehtë vitet e fundit.

Më shumë kafshë në qendër të Italisë dhe në komunat e vogla
Nga pikëpamja gjeografike, Italia Qendrore kryeson me 42.7% të familjeve që kanë kafshë shtëpiake. Pasojnë:
- Verilindja: 40.3%
- Veriperëndimi: 38.5%
Ndërsa përqindja bie ndjeshëm në:
- Ishuj: 34.3%
- Jug: 31%
Një rol të rëndësishëm luan edhe madhësia e komunës. Në qendrat e mëdha urbane vetëm 29.4% e familjeve kanë kafshë, ndërsa kjo shifër rritet në 45% në komunat me 2–10 mijë banorë dhe arrin 47.7% në komunat me më pak se 2 mijë banorë. Kjo lidhet kryesisht me hapësirat më të mëdha të banimit dhe praninë e zonave të gjelbra.

Kush i adopton më shumë kafshët?
Prania e kafshëve shtëpiake lidhet edhe me faktorë socialë dhe ekonomikë. Familjet ku niveli i arsimimit është të paktën shkollë e mesme kanë një përqindje më të lartë (45.5%) krahasuar me ato me arsim bazë (30.2%).
Ndikim ka edhe struktura familjare:
- Çiftet me fëmijë mbi 14 vjeç kryesojnë me 51.2%
- Familjet monoparentale me fëmijë të rritur: 48.8%
- Çiftet pa fëmijë nën 65 vjeç kanë shënuar rritjen më të madhe ndër vite, duke arritur në 47.9% në 2024
Më pak kafshë gjejnë strehë tek personat që jetojnë vetëm, veçanërisht tek ata mbi 65 vjeç.
Gratë kujdesen më shumë për kafshët
Sipas ISTAT, 38.1% e personave mbi 11 vjeç deklarojnë se kujdesen për kafshë shtëpiake në kohën e lirë. Gratë tregojnë angazhim më të madh se burrat, me një diferencë prej rreth 6 pikësh përqindjeje, veçanërisht në grupmoshën 45–64 vjeç.
Ekspertët theksojnë se rritja e adoptimeve lidhet jo vetëm me shoqërinë dhe mbështetjen emocionale që ofrojnë kafshët, por edhe me një ndërgjegjësim më të madh për mirëqenien dhe stilin e jetesës së balancuar.






