
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të dedikuar të drejtës për informim, kritikoi Komisionerin për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi, duke i kërkuar këtij institucioni të aplikojë sanksione më të forta ndaj autoriteteve publike që nuk kthejnë përgjigje brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
Rama u ndal edhe te shembujt e mëparshëm të vendosjes së gjobave, duke përmendur se sanksionet kanë frenuar praktika të tilla si parkimi i paligjshëm i deputetëve dhe ministrave apo shkelja e semaforëve nga automjetet zyrtare.
Sipas tij, e njëjta qasje duhet të ndiqet edhe për institucionet që vonojnë informacionin ndaj qytetarëve.
“E kemi diskutuar edhe me Komisionerin, kemi pasur edhe një mbledhje qeverie, ku kemi theksuar që të jemi një fokus më të madh në këtë aspekt. Për këtë arsye kemi shtyrë përpara edhe projektin e transparencë Albania, që është një projekt ambicioz për të pasur në një territor virtual informacionin. Kjo do të lehtësonte edhe gjetjen e informacionit. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre problematikave lidhet me përtacinë burokratike. Nuk është barrikadë për të mbajtur informacionin, por është një problematikë e funksionimit të brendshëm të administratës. Kjo është e përmirësueshme, më pak se ç’do të prisnin ata që shohin gotën gjysmë bosh.
Për të qenë transparent, unë i kam bërë Komisionerit një vërejtje, e vërtetë, për aq sa i bëj një institucioni të pavarur, që është mungesa e sanksioneve për autoritetet më të larta. Ligji është i qartë; 10 ditë është koha për t’u përgjigjur. Kjo mund të jetë shumë. Nëse në ditën e 11 nuk ka përgjigje, përgjigjja është sanksioni. Duhet të sanksionohet institucioni përgjegjës. Duhet të bëhet delegimi te sekretarët e përgjithshëm. Duhet të sanksionohen ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm në ditën e 11.
Nëse do të ndodhë kjo në mënyrë të përsëritur, do të krijohet ndjesia e urgjencës, do të punohet si me sektorin e gotës gjysmë bosh. Duhet të vendosen sanksione. Kishim problem parkimin e paligjshëm të të gjithë deputetëve të Kuvendit, mbi trotuaret e mundshme dhe lulishtet dhe hapësirat publike rreth e rrotull. Ku janë sot? Pse s’ka më që parkojnë ashtu? U vendosën sanksione dhe u gjobitën dhe e kuptuan se loja e parkimit mbaroi. Nuk ka më makina ministrash që shkelin semaforin. Ndaj u fol me shoferët që mos të ndiheshin me faj dhe se duhet të respektonin ligjin.”, tha ai./oranews




