Qeveria bullgare ka rënë nën presionin e protestave të gjera qytetare, duke çuar në dorëheqjen e Kryeministrit Rosen Zhelyazkov. Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Sofjes dhe dhjetëra qyteteve të tjera, duke akuzuar ekzekutivin për korrupsion dhe kundërshtuar planet buxhetore të vitit 2026, pavarësisht se projekti i buxhetit u tërhoq. Protestat nuk u ndalën, duke e shtyrë qeverinë drejt largimit të parakohshëm.

Vendimi i Zhelyazkov u njoftua përmes një deklarate të transmetuar nga mediat vendase, disa minuta para se Parlamenti bullgar të votonte një mocion mosbesimi ndaj kabinetit. “Dëshira jonë është që të jemi në nivelin që pret shoqëria. Pushteti buron nga zëri i qytetarëve”, tha kryeministri në largim, duke pranuar se presioni publik kishte marrë përmasa që nuk mund të injoroheshin.

Dorëheqja vjen në një moment kritik për Bullgarinë, vetëm pak javë para se vendi të bashkohet zyrtarisht me eurozonën më 1 janar 2026. Presidenti Rumen Radev kishte bërë prej ditësh thirrje për dorëheqje, duke kërkuar që qeveria “të dëgjojë sheshet publike” dhe të marrë përgjegjësinë politike për krizën. Situata në Bullgari mbetet e tensionuar, teksa pritet që institucionet të përcaktojnë hapat e mëtejshëm drejt stabilizimit politik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu