
Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës, pranë një subjekti privat që operon në fushën e prodhimit të reklamave. Lënda plasëse është vendosur në biznesin “LufaPrint”, në pronësi të shtetasit Lulzim Mehmeti.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për tritol. Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Menjëherë pas ngjarjes, forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e shpërthimit dhe kanë rrethuar zonën, duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
“Rreth orës 22:20, në lagjen ‘Skënderbeg’, Shkodër, te dera e një subjekti për reklama, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë ka pasur vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.”
Hetimet vijojnë, ndërsa priten detaje të reja lidhur me motivin e këtij akti.



