
Prishtinë, 6 dhjetor 2025 – Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë të ditur se janë konstatuar dëmtime në shtyllën dhe pllakën e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit Astrit Dehari. Lajmi u bë publik përmes një reagimi zyrtar në rrjetin social Facebook.
Në njoftim, LVV-ja shpreh keqardhje për incidentin dhe falënderon Policinë e Kosovës për reagimin e menjëhershëm, duke theksuar se aktualisht janë në zhvillim hetime nga njësitë e specializuara për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

“Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falënderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në reagimin zyrtar.
Astrit Dehari ndërroi jetë në vitin 2015 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku mbahej nën dyshimet për vepra penale të lidhura me terrorizëm, konkretisht për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në kohën e protestave kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Prej asaj kohe, Lëvizja Vetëvendosje ka këmbëngulur vazhdimisht se rasti i Astrit Deharit përbën vrasje, duke e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe më të pazbardhura të pasluftës në Kosovë. Çështja ka qenë objekt debatesh të gjera politike, hetimesh dhe reagimesh kombëtare e ndërkombëtare.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi natyrën e dëmtimit apo pistat e hetimit.




