Mburoja prej betoni e ndërtuar mbi centralin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë nuk është më në gjendje të përmbushë funksionin e saj kryesor – izolimin e mbetjeve radioaktive – pas një sulmi me dron të ndodhur më 14 shkurt 2025. Alarmin e ka dhënë Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), në një deklaratë zyrtare të publikuar ditën e premte.

Sipas IAEA-së, struktura e njohur si New Safe Confinement (NSC) është “dëmtuar rëndë” nga sulmi dhe ka humbur funksionet bazë të sigurisë, përfshirë edhe aftësinë për të mbajtur rrezatimin brenda. Goditja ka shkaktuar një zjarr dhe ka dëmtuar veshjen mbrojtëse të strukturës metalike gjigante.

Ukraina e ka akuzuar Rusinë për këtë sulm, ndërsa Moska e ka mohuar përgjegjësinë.

IAEA ka rekomanduar një rikonstruksion të madh dhe të domosdoshëm të NSC-së, e cila u vendos mbi reaktorin nr. 4 për të mundësuar operacione pastrimi dhe për të garantuar sigurinë bërthamore, pothuajse katër dekada pas aksidentit më të rëndë bërthamor në histori.

“Janë kryer vetëm riparime të përkohshme dhe të kufizuara në çati, por restaurimi i plotë dhe i shpejtë është thelbësor për të parandaluar degradime të mëtejshme dhe për të garantuar sigurinë bërthamore afatgjatë,” deklaroi drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi.

Ai theksoi se strukturat mbajtëse dhe sistemet e monitorimit nuk kanë pësuar dëmtime të përhershme, ndërsa agjencia ka një prani të përhershme në terren dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për rikthimin e sigurisë bërthamore në zonë.

Çernobili ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes që nga nisja e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Forcat ruse e pushtuan objektin në ditët e para të agresionit në shkurt 2022, duke mbajtur për një muaj nën kontroll centralin dhe stafin ukrainas, përpara se të tërhiqeshin.

New Safe Confinement është struktura më e madhe lëvizëse tokësore në botë – një hark çeliku kolosal, ndërtuar në vitin 2010 dhe përfunduar në 2019, i projektuar të zgjasë 100 vjet. Projekti kushtoi rreth 2.1 miliardë euro dhe u financua nga mbi 45 shtete dhe organizata përmes Fondit të Strehimit të Çernobilit, i administruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Më 26 prill 1986, një shpërthim shkatërrimtar në reaktorin nr. 4 çliroi një sasi masive rrezatimi që u përhap në Ukrainë, Bjellorusi, Rusi dhe më gjerë. Dhjetëra persona humbën jetën menjëherë, ndërsa pasojat shëndetësore – përfshirë rritjen e rasteve me kancer dhe anomalitë e lindjes – vazhdojnë edhe sot.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu