Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha ajrore që prej fillimit të luftës, duke lëshuar 653 dronë dhe 51 raketa ndaj territorit ukrainas gjatë natës nga e premtja në të shtunë, vetëm pak orë përpara vazhdimit të bisedimeve diplomatike mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje paqeje.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, mbrojtja ajrore arriti të rrëzojë ose neutralizojë 585 dronë dhe 30 raketa, megjithatë 29 zona u goditën, ndërsa të paktën 8 persona mbetën të plagosur, përfshirë tre në Kiev.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri të ditur se sulmet prekën disa rajone të vendit, përfshirë Kievin, Dnipron, Chernihivin, Zaporizhzhian, Odesën, Lvivin, Volynin dhe Mykolaivin, duke shkaktuar dëme në objekte industriale dhe banesa civile.

“Objektivat kryesore ishin sërish infrastruktura energjetike,” shkroi Zelenskyy në rrjetin X, duke shtuar se është goditur gjithashtu edhe ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Fastiv, një sulm që ai e cilësoi si “pa asnjë kuptim ushtarak”.

Sipas tij, Rusia nuk mund të pretendojë se nuk ishte në dijeni të natyrës civile të këtij objekti, duke e cilësuar sulmin si një akt terrori kundër popullsisë dhe shërbimeve jetike.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mbrojtja ajrore e Moskës kishte rrëzuar 116 dronë ukrainas mbi territorin rus. Media ruse Astra raportoi se ishte goditur rafineria e naftës në Ryazan, një nga objektet kyçe energjetike të Rusisë.

Guvernatori rajonal Pavel Malkov konfirmoi dëmtimin e një ndërtese banimi dhe rënien e mbetjeve të dronëve në një zonë industriale, pa përmendur drejtpërdrejt rafinerinë.

Në muajt e fundit, Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke argumentuar se këto objekte përbëjnë burim financiar për luftën e Moskës. Nga ana tjetër, Rusia vijon të shënjestrojë rrjetin energjetik ukrainas për të privuar popullsinë nga energjia, ngrohja dhe uji gjatë dimrit të ashpër.

Bisedimet për paqe vazhdojnë

Valë sulmesh ndodhi pikërisht në kohën kur zyrtarë ukrainas dhe amerikanë po zhvillojnë ditën e tretë të bisedimeve për gjetjen e një rruge drejt përfundimit të luftës.

Uashingtoni ka ndërmjetësuar kontakte mes Kievit dhe Moskës, por Ukraina dhe aleatët europianë kanë akuzuar më herët presidentin rus Vladimir Putin se po simulon interes për paqe, ndërsa në terren vijon ofensivën ushtarake pa asnjë kompromis real.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu