Personat që jetojnë me sklerozë multiple kanë tashmë një hapësirë të dedikuar për kujdes dhe trajtim rehabilitues në Tiranë. Qendra e Re e Rehabilitimit Fizik për Personat me Sklerozë Multiple është bërë realitet falë mbështetjes së Fondacionit Mane, duke sjellë një shërbim të rëndësishëm për një nga grupet më të ndjeshme të shoqërisë.

Në këtë qendër, pacientët përfitojnë terapi fizike të kombinuara, si trajtime manuale ashtu edhe ushtrime me pajisje moderne, të projektuara për të ndihmuar në ruajtjen e lëvizshmërisë, balancës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Terapia ofrohet sipas rekomandimit mjekësor individual për secilin pacient dhe, falë kontributit të Fondacionit Mane, trajtimi do të jetë falas.

Projekti është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional. Fondacioni Mane ka siguruar funksionimin e qëndrueshëm të shërbimeve, ndërsa Ambasada Gjermane në Shqipëri, përmes Sektorit të Bashkëpunimit për Zhvillim, ka kontribuar me pajisjet mjekësore të nevojshme për funksionimin e qendrës. Qendra është projektuar nga Fondacioni “Pema e Jetës”, i cili është aktiv në mbështetjen e personave me sklerozë multiple përmes edukimit mjekësor dhe nxitjes së integrimit shoqëror.

Në ditën e hapjes, ambientet e reja u vizituan nga Samir Mane, themelues i Fondacionit Mane, i shoqëruar nga përfaqësues të Fondacionit “Pema e Jetës” dhe të Ambasadës Gjermane, duke theksuar rëndësinë e angazhimit afatgjatë në projekte që sjellin ndikim real për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Skleroza multiple është një sëmundje kronike që prek trurin dhe palcën kurrizore, duke shkaktuar vështirësi në lëvizje, koordinim, balancë dhe, në disa raste, edhe probleme njohëse. Pacientët shpesh përballen me lodhje, ngurtësi muskulore, dhimbje, mpirje të gjymtyrëve dhe ndryshime në gjendjen emocionale. Sëmundja zakonisht shfaqet në moshën 20–40 vjeç. Në Shqipëri, mbi 1.000 persona jetojnë me këtë diagnozë, rreth 400 prej tyre vetëm në Tiranë.

Hapja e kësaj qendre përfaqëson një hap të rëndësishëm në misionin e Fondacionit Mane për krijimin e mundësive më të barabarta dhe përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara. Përtej terapisë, qendra synon të jetë një vend shprese, mbështetjeje dhe fuqizimi, ku pacientët mund të ndihen të përkrahur dhe të rikthejnë një rol më aktiv në shoqëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu