Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në platformën X lidhur me vendimin e gjykatës dhe prokurorisë për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë akt si të paprecedent dhe të pashembullt në botën demokratike.

Në një postim të gjatë, Rama shkruan se “fjalët e shumta janë fukarallëk”, duke i ftuar kritikët të gjejnë një rast tjetër në botë ku një prokuror dhe një gjykatës, madje të shkallës së parë, pezullojnë një anëtar të qeverisë.

“Nuk ka ndodhur askund në botë”

Sipas Kreut të Qeverisë, ky veprim nuk mund të konsiderohet normal vetëm sepse ka ndodhur në Shqipëri.

“Nëse më thoni që kjo qenka normale, paçka se s’është parë askund, është njësoj si të më thoni se drejtësia është normale vetëm në Shqipëri,” – shkruan Rama.

Ai thekson se prej ditës së parë ka qenë mbështetësi më i fortë i Reformës në Drejtësi, por kjo situatë – sipas tij – përbën një devijim serioz të sistemit.

“Drejtësia rrëzohet si fëmijë që mëson të ecë”

Rama e përshkruan vendimin si një “rrëshqitje” të drejtësisë së re, duke përdorur një krahasim të fortë:

“Kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm veten. Kur drejtësia rrëshqet kështu, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.”

“Qëllimi nuk justifikon mjetet”

Kryeministri thekson se lufta kundër korrupsionit është një qëllim i lartë, por nuk mund të justifikojë përdorimin e “mjeteve të gabuara”, duke paralajmëruar se praktika të tilla krijojnë më shumë dëm sesa të mirë.

“Historia e vendeve të tjera na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për qëllime të mëdha e kthen kurën në një të keqe edhe më të madhe se sëmundja.”

Rama kërkon kujdes dhe reflektim të thelluar nga institucione të drejtësisë, duke nënvizuar se parimet kushtetuese dhe ndarja e pushteteve nuk mund të preken as në emër të luftës kundër korrupsionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu