Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar sot se Zëvendës Shefja e Misionit në detyrë, Kathryn Hammond, i ka dorëzuar muajin e kaluar Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) pajisje të avancuara për mbrojtjen e sigurt të rrjeteve shtetërore. Nisma vjen në një periudhë ku kërcënimet kibernetike po rriten ndjeshëm, duke e bërë sigurinë digjitale një element kyç të sigurisë kombëtare dhe asaj rajonale.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës, theksohet rëndësia e bashkëpunimit Shqipëri–SHBA në fushën e mbrojtjes së infrastrukturës kibernetike:

“Muajin e kaluar, Zëvendës Shefja e Misionit në detyrë, Kathryn Hammond, i dorëzoi pajisje të avancuara për mbrojtje të sigurt të rrjetit Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, si pjesë e mbështetjes së fortë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për forcimin e sigurisë kibernetike në Shqipëri.”

Ambasada nënvizon se në një botë të digjitalizuar me shpejtësi, investimi në mbrojtjen kibernetike është thelbësor për sigurinë e shtetit, por edhe për forcimin e mbrojtjes së përbashkët ndaj sulmeve keqdashëse në nivel rajonal e atlantik.

“Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që kanë mbështetur Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes së saj kibernetike – duke çuar përpara sigurinë rajonale dhe atë të NATO-s”, përfundon deklarata.

Kjo nismë vjen pas një sërë bashkëpunimesh midis Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e sigurisë kibernetike, veçanërisht pas sulmeve të mëdha kibernetike të viteve të fundit, duke treguar angazhimin e përbashkët për të rritur reziliencën dhe mbrojtjen digjitale të vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu