
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një politikë të re drastike të emigracionit, duke deklaruar se SHBA do të “ndalojë përgjithmonë emigracionin nga të gjitha vendet e botës së tretë”. Lajmin e bëri të ditur në një postim në platformën e tij Truth Social, ku tha se vendimi synon të “lejojë sistemin amerikan të rikuperohet plotësisht” nga politikat e mëparshme që, sipas tij, kanë “dëmtuar standardet e jetesës së shumë amerikanëve”.
Trump nuk specifikoi se cilat vende përfshihen në këtë kategori, ndërsa deklaratat erdhën vetëm një ditë pasi një shtetas afgan u akuzua për sulmin ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare në Washington DC, ku njëri prej tyre humbi jetën.
Rritje e retorikës kundër emigracionit
Që nga incidenti në Washington, administrata amerikane ka ndërmarrë disa hapa të menjëhershëm kufizues. Fillimisht u ndërpre përpunimi i të gjitha kërkesave të emigracionit nga Afganistani, në pritje të një rishikimi të protokolleve të sigurisë. Po ashtu, autoritetet amerikane njoftuan se do të rishikonin kartat e gjelbra të dhëna për individë nga 19 vende, mes të cilave një shpallje e White House në qershor përmend Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin, Somalinë dhe Venezuelën. Nuk është dhënë ende detaje se si do të kryhet konkretisht ky rishikim.
Reagimi pas sulmit në Washington
Sipas zyrtarëve, autori i dyshuar Rahmanullah Lakanwal kishte mbërritur në SHBA në vitin 2021 në kuadër të programit special për afganët që kishin punuar me forcat amerikane pas tërheqjes nga Afganistani. Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se Lakanwal kishte bashkëpunuar më herët me agjencinë. Ai kishte aplikuar për azil në vitin 2024 dhe aplikimi i tij ishte pranuar në fillim të këtij viti. Trump e cilësoi sulmin si “akt terrori” dhe paralajmëroi se do të ndërmarrë çdo hap për të larguar “çdo të huaj që nuk duhet të jetë këtu”.
Premtime të tjera kufizuese
Në deklaratat e tij të fundit, presidenti amerikan tha se do të heqë të gjitha përfitimet federale për personat që nuk janë qytetarë amerikanë dhe se do të largojë çdo individ që “nuk është aset” për vendin. Ai theksoi se SHBA do të qëndrojë e vendosur në ndalimet e reja të udhëtimit, përfshirë ndalimin e shpallur më herët këtë vit për shtetasit afganë dhe qytetarët e 11 vendeve të tjera të Afrikës dhe Azisë. Një numër vendesh me shumicë myslimane ishin gjithashtu të ndaluara gjatë mandatit të tij të parë presidencial.







