Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar në emisionin “Europe Conversation” në Euronews, foli gjerësisht për integrimin europian, luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Italinë dhe perceptimin ndërkombëtar ndaj Shqipërisë.

“BE është perandoria ku duam të bëjmë pjesë”

Rama u shpreh se Shqipëria ka aspiruar historikisht anëtarësimin në Bashkimin Europian:

“Kemi qenë nën perandori të ndryshme dhe, më në fund, me zgjedhjen tonë duam të bëhemi pjesë e kësaj perandorie… një perandorie të mirë.”

Sipas tij, Europa nuk ka humbur shkëlqimin, por ka nevojë “të fitojë diçka të re” në botën e sotme të trazuar.

Lufta në Ukrainë: “Europa duhet të ketë planin e vet të paqes”

Kryeministri theksoi se lufta në Ukrainë është një zhvillim që shkon përtej kufijve të saj:

“Është paralajmërimi i një bote që po ndryshon… Europa duhet të sigurohet që të mos bëhet e parëndësishme.”

Ai kritikoi mungesën e një strategjie të qartë europiane për paqen:

“Nuk është ngushëlluese që Bashkimi Europian ende nuk ka një plan paqeje për Ukrainën. Duhet të ruhet qëndresa, por edhe të ndërtohet një vizion realist për të ardhmen.”

Sipas Ramës, diplomacia europiane nuk mund të lihet pas dore, duke marrë shembuj nga historia e SHBA-ve me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën.

Marrëdhëniet me Italinë dhe “modeli shqiptar” i migracionit

Një pjesë e intervistës iu kushtua marrëveshjes Shqipëri–Itali për qendrat e emigrantëve. Rama i quajti kritikat për “humbje sovraniteti” të pabaza:

“Italia nuk është vend tjetër. Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace.”

Ai theksoi se marrëdhënia me Italinë nuk është marrëdhënie pazari:

“Italia ka bërë shumë për ne pa kërkuar gjë në këmbim. Ne i themi gjithmonë ‘po’, sepse është Italia.”

Me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Rama tha se ka “një kimi të veçantë”, duke e cilësuar si një lidere që “bën më shumë sesa flet”.

Imazhi i Shqipërisë: “Nuk jemi më gropa e zezë e Europës”

Rama tha se perceptimet e vjetra ndaj Shqipërisë po zhduken:

“Shqipëria nuk është më ajo gropa e zezë në mes të Europës… Sot është një vend rrezatues që vizitohet nga miliona turistë.”

Ai pranoi se vendi ende ka probleme me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, por shtoi se këto janë sfida që i kanë edhe vendet e BE-së:

“Kush nuk i ka? Lufta nuk mbaron kurrë.”

Raporti i Komisionit Europian: “Jetojmë për këtë raport”

Kryeministri vlerësoi maksimalisht raportin e Komisionit Evropian:

“Nuk kam parë asgjë më objektive. Ne jetojmë për atë raport.”

Në përfundim të intervistës, Rama tha se integrimi europian mbetet “trashëgimia” e tij politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu