
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka reaguar me tone ironike dhe kritike në lidhje me situatën e rënduar të përmbytjeve në vend, ku mijëra hektarë tokë janë nën ujë dhe fermerët po përballen me dëme të mëdha ekonomike. Në një postim në rrjetet sociale, ai e krahasoi situatën me një lojë “kungulleshash”, duke iu referuar debatit të gjatë mbi TVSH-në në bujqësi, e cila, sipas tij, ka mbetur e paqartë prej 8 vitesh.
“Me zero TVSH? 20% TVSH! Po pse 20% TVSH? Po sa? 20 me 20! Po pse?”, shkroi Braçe, duke theksuar se ndërkohë që vazhdojnë debatet për politikat fiskale, fermerët janë aktualisht në ujë dhe të braktisur nga institucionet.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në Tale, Lezhë, Shkodër, Kurbin dhe zona të tjera bujqësore.
Qëndrimet në Kuvend: Kritika të forta ndaj ministrave
Një ditë më parë, më 19 Nëntor, gjatë seancës plenare, Braçe goditi me kritika të drejtpërdrejta ministrat dhe drejtuesit socialistë, duke denoncuar mungesën e shpenzimit të fondeve publike sipas planit dhe keqmenaxhimin e koncesioneve.
Ai u shpreh se mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore është rreziku më i madh për financat e shtetit:
“Kush nuk shpenzon paratë e buxhetit të shtetit, çfarëdo posti të ketë, duhet të largohet.”
Braçe kërkoi largimin e menjëhershëm të çdo ministri, zv.ministri, drejtori apo drejtuesi që nuk realizon shpenzimet e programuara.
Tre koncesionet që mbyllen këtë vit: Të kthehen te shteti
Sipas tij, tre koncesionet kryesore që përfundojnë kontratat këtë vit duhet të rikthehen si shërbime publike, duke mbyllur ciklin e kontratave të vjetra.
Ai propozoi gjithashtu që kontrolli bazë mjekësor të shtyhet përtej moshës 70 vjeç, duke shtuar se “skema e ilaçeve është nën agresionin e hajdutëve” dhe duhet rishikuar urgjentisht.
Braçe kërkoi reformim të plotë të skemës së subvencioneve në bujqësi, duke theksuar se TVSH-ja e bujqësisë nuk ka gjetur ende zbatim, pavarësisht premtimeve ndër vite.
“Bujqësia meriton një skemë të re subvencionimi. Paketa fiskale është e gjerë, por TVSH e bujqësisë ende nuk zbatohet.”
Mesazh i drejtpërdrejtë për qeverinë
Në përfundim, Braçe theksoi se mosshpenzimi i fondeve publike, boshllëqet në sistemin e ilaçeve dhe mungesa e mbështetjes për bujqit janë alarmante, sidomos në një moment kur përmbytjet kanë vënë në rrezik një pjesë të madhe të prodhimit bujqësor.







