Raportimet anekdotike për një rritje globale të rasteve të morrave të kokës po përhapen duke nxitur paralajmërime nga disa ekspertë për një aktivitet popullor dhe universal midis fëmijëve dhe adoleshentëve si shkak: bërja e selfie-ve.
Parazitët e kokës zakonisht përhapen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë kokë më kokë. Dhe afrimi për selfie në grup – që shpesh do të thotë të bashkosh dy ose më shumë koka së bashku për t’u futur në një ekran celulari – mund t’u japë morrave të kokës një mundësi për t’u hedhur nga një kokë në tjetrën.
Selfiet “shërbejnë si një burim i rëndësishëm transmetimi”, tha Federico Galassi, një studiues me Qendrën Kërkimore të parazitëve në Buenos Aires.
Në SHBA dhe Europën veriore shumë klinika raportojnë për shtim të klientëve që kërkojnë trajtim të specializuar pasi kishin dështuar të hiqnin morrat me sukses në shtëpi.
A kanë zhvilluar parazitët një rezistencë kundër trajtimeve tradicionale apo është thjesht një hile marketingu?
Ekspertët mendojnë se kemi të bëjmë me një valë që rikthehet në nivelin e para pandemisë në muajt e parë të së cilës parazitët u reduktuan për shkak të izolimit dhe distancimit prej Covid 19.
Disa vajra esencialë, të cilët përdoren më shpesh kundër morrave në Amerikën e Jugut, mund të funksionojnë, por ndryshojnë në efektivitet.
Hulumtimet tregojnë se eukalipti, Mentha pulegium, mënxyraja dhe rozmarina mund të jenë të dobishme për trajtimin e morrave të kokës.
Dhe një studim në Izrael raportoi se bari i bletës ishte efektiv si një largues.
Por derisa të ketë më shumë të dhëna për sigurinë e vajrave esencialë për trajtimin e morrave të kokës, Akademia Amerikane e Pediatrisë tha se vajrat esencialë nuk duhet të përdoren tek foshnjat, fëmijët ose adoleshentët.
Një pajisje mjekësore e miratuar për përdorim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, e cila përdoret në Lice Clinics of America, përdor ajër të nxehtë për të zhdukur morrat dhe vezët e tyre në një trajtim.
Për shkak se morrat nuk kanë skelet dhe nuk janë të mbrojtur nga humbja e ujit, fryrja e ajrit të nxehtë i dehidraton dhe i vret ato, tha Clark, laboratori i të cilit ndihmoi në testimin e produktit.
Por ekspertët u kërkuan kujdestarëve që të mos përdorin tharëse flokësh për të arritur rezultate të ngjashme pasi mund të djegin lëkurën e kokës ose të fryjnë morrat te të tjerët.
Si të parandaloni morrat e kokës?
Morrat janë një shqetësim i zakonshëm në fëmijëri dhe nuk lidhen me higjienën personale. Nuk ka asnjë mënyrë të sigurt për t’i parandaluar ato, por prindërit/kujdestarët duhet të kontrollojnë rregullisht kokat e fëmijëve të tyre për morra, veçanërisht kur fëmijët i kruajnë, tha Kate King, presidente e Shoqatës Kombëtare të Infermierëve të Shkollës./Washington Post